As kjo e hënë nuk ka sjellë një datë se kur ekipet e kategorisë së parë në futboll do të zbresin në fushën e gjelbërt. Takimi mes përfaqësuesve të elitës së futbollit në vendin tonë dhe përfaqësuesve të qeverisë ka dështuar edhe këtë fillimjavë. Mes tyre nuk është arritur asnjë marrëveshje që superliga të nisë garën, pasi elita e futbollit kërkon plotësimin e kërkesave nga ana e qeverisë shqiptare.
Kjo ka bërë që të mos ketë dritë jeshile as për kategorinë e parë e cila po pret të nisë kampionatin 2020 – 2021 që prej datës 14 Shtator. Burime për Mat Televizion thanë se një tjetër takim do të zhvillohet të Martën e 20 Tetorit, i cili mund të dalë me lajme pozitive.
Ekipet e kategorisë së parë në futboll, përfshirë edhe Burrelin janë të gatshme për të nisur kampionatin, madje zgjatja e datës për fillimin e ndeshjeve zyrtare është me pasoja ekonomike për to.
Nëse ka një marrëveshje mes qeverisë dhe elitës së futbollit nesër, atëherë me shumë gjasë të shtunën e ardhshme, do të nisë gara në kategorinë e parë ku Burreli do të presë në shtëpinë e tij ekipin e Veleçikut të Koplikut.