
Megjithëse janë zbuluar përballjet e ekipeve të kategorisë së parë në futboll për sezonin 2020 – 2021, ende nuk ka asnjë datë se kur do të nisë kampionati i kësaj kategorie. Ekipet kanë mësuar rivalët, por për shkak të bojkotit të mbajtur nga ekipet e superligës, kampionati nuk mund të nisë.
Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk ka një datë që 18 ekipet e kategorisë së parë do të zbresin në fushën e gjelbërt, megjithëse ishte aluduar që kampionati do të fillojë këtë të shtunë me 17 tetor.
Por ndonëse ekipet janë të pritje të garës së vërtetë, Burreli vijon të mos ndalet duke zhvilluar ndeshje miqësore. Duke qenë se ende nuk dihet se kur fillon kampionati, burime pranë klubit matjan thanë se të enjten do të zhvillohet një tjetër miqësore, por kësaj radhe me ekip të kategorisë së parë.
Burreli pritet të matë forcat me pretendentin më kryesor për superligë në grupin B, siç është Egnatia e Rrogozhinës. Të dy ekipet do të përballen në një fushë asnjanjëse që me siguri do të jetë ajo e Kamzës në Tiranë apo e Pezë Helmës.
Ndërkohë të shtunën e kaluar, Burreli fitoi edhe në Kosovë ku u përball me ekipin e vendit të dytë të superligës atje, Arbërinë. Loja atje u mbyll me të vetmin gol të shënuar nga Toma në minutën e 55’, ndeshje kjo e zhvilluar në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq.