NJËKOHËSISHT/ Sali Berisha mban Foltore në Burrel, Ambasada Amerikane flet për Reformën në Drejtësi
Ambasada Amerikane në Shqipëri ka vlerësuar progresin e reformës në drejtësi në vendin tonë, teksa po mbyllet viti 2021 dhe po bëhen 5 vite nga kjo reformë.
Ndër të tjera, në postimin e saj në Facebook, Ambasada amerikane thekson se reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, duke shtuar se SHBA-të janë mirënjohës për njerëzit që e kanë sjellë reformën deri në këtë pikë.
“Me mbylljen e vitit 2021, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë hedh një vështrim mbi progresin që ka bërë Shqipëria gjatë pesë viteve të para të Reformës në Drejtësi. Progresi nuk duhet të matet vetëm nga distanca deri në destinacion, progresi duhet të matet edhe nga sa larg kemi arritur në udhëtim. Paketa legjislative, duke përfshirë ndryshime të rëndësishme kushtetuese, shënoi një pikënisje për matjen e këtij progresi. Si një reformë gjithëpërfshirëse, Shqipëria zgjodhi të ndërmerrte një plan tërësor për të rivlerësuar integritetin dhe profesionalizmin e anëtarëve të sistemit të drejtësisë dhe promovimin e një kulture të re nëpërmjet ndryshimit të strukturës së institucioneve të drejtësisë nëpërmjet depolitizimit dhe decentralizimit. Përfaqësuesit e Ambasadës së ShBA u mblodhën së fundmi me disa nga individët e shumtë që punojnë pa u lodhur, çdo ditë, për të zbatuar këto koncepte dhe për ta bërë reformën në drejtësi një sukses. Reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara është mirënjohëse për ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu“, shkruan Ambasada.
Mirëpo në të njëjtën kohë kur u postua ky mesazh i Ambasadës Amerikane, ish-kryeministri Sali Berisha po fliste në Foltoren e Burrelit, pikërisht për SHBA-të dhe rolin e rëndësishëm që kanë për vendin tonë.
Një nga demokratët e Burrelit tha se e ka mbajtur gjithmonë flamurin e SHBA-ve por e ka hequr së fundmi sepse Ambasadorja Yuri Kim nuk respekton flamurin e PD-së. Berisha e ka kundërshtuar këtë demokrat, duke i thënë se nuk duhet ta heqë flamurin amerikan dhe nuk duhet ta humbë kurrë besimin te SHBA-të.
“Flamurin amerikan duhet ta mbash si gjithmonë dhe nuk duhet kurrë që ta heqësh. Nuk duhet të na lëkundet besimi për atë komb dhe atqë vend që ka bërë më shumë se kushdo për lirinë e shqiptarëve dhe lirinë e botës. Zonja të mos shfrytëzojë narkosin shqiptar për të bërë guvernatoren në një vend me mbi 100 vite i pavarur. Nuk ka njeri në botë që është shpallur non-grata 8 vite pasi ka ikur nga pushteti. Kjo është vepër e Edi Ramës dhe George Soros. Ndaj dhe unë po bëj një beteje pa lëkundur besimin ndaj shteti i madh i lirisë”, tha Berisha.