Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e zyrtarizuar në muajin Nëntor të këtij viti, vijon të përballen me largimet nga puna të anëtarëve të këshillit sindikal të saj. “Mungesa pa arsye dhe braktisje të vendit të punës, pa shkaqe të arsyeshme dhe pa njoftuar për më shumë se 7 ditë”, është motivacioni i heqjes së sindikalistit të katërt nga puna minatorit Ali Gjeta. Më herët nga kompania që menaxhon minjerën e Bulqizës, Albchrome janë larguar Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi, dhe anëtarët e këshillit sindikal, Beqir Duriçi e Behar Gjimi.

Drejtuesit e sindikatës thanë për Mat Televizion se kjo nuk është asgjë tjetër porse një presion që bëhet nga kompania për sindikatën e re. ndërkohë që sipas tyre si Ali Gjeta janë thirrur nga kompania më shumë se 20 minatorë të tjerë, të cilët kanë marrë paralajmërime për largim nga puna e të gjithë këto, janë anëtarë të sindikatës.

Nga ana tjetër kompania Albchrome ka reaguar për këtë problem.
Më 16 Dhjetor 2019, kompania AlbChrome është njohur zyrtarisht për krijimin e një sindikate të re, atë të Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. 21 minatorë nga 652 minatorët e AlbChriome na rezulton se janë pjesë e kësaj sindikate. 4 prej tyre pasi janë paralajmëruar disa herë për shekljet e vazhdueshme të kontratës së punës dhe rregullores së brendshme të kompanisë, janë shkarkuar nga puna për vazhdimin e përsëritur të shkeljeve në fjalë, si mungesa të pajustifikuara në vendin e punës.

Por Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës tha se aktualisht numëron plot 330 anëtarë, më shumë se gjysma e minatorëve që punojnë në kompani. Sipas sindikatës, përdorimi i shifrës 21 minator anëtarë sindikate, bëhet për të zbehur forcën, por që nuk do të arrihet pasi numri i anëtarëve po rritet çdo ditë.