Një libër i ri për dr. Sali kurti hysuka sjell jetën dhe kontributin e “ikonës së stomatologjisë shqiptare”

Një libër i ri për dr. Sali kurti hysuka sjell jetën dhe kontributin e “ikonës së stomatologjisë shqiptare”

Sapo ka dalë në qarkullim botimi më i ri “Dr. Sali Kurti, ikona e stomatologjisë shqiptare”, një vepër biografike dhe publicistike e autorit Hamdi Hysuka. Libri vjen si një dëshmi e plotë dhe e detajuar e kontributit gjysmëshekullor të Dr. Sali Kurtit, një prej figurave më të kontribuitive të mjekësisë dentare dhe një humanisti të palodhur, i cili u bë model suksesi duke e ndërtuar karrierën e tij mbi përulësinë, dashurinë për profesionin dhe ndjenjën e thellë të përgjegjësisë sociale. Ky botim është një mozaik emocionesh, kujtimesh dhe vlerash, që synon të mbledhë në një vend të vetëm vlerësimet e panumërta dhe copëzat e historisë që e kanë shoqëruar mjekun stomatolog Sali Kurti, duke u kthyer në një model referimi.

Vepra është ndarë në tre pjesë thelbësore, duke nisur me rrugëtimin e tij personal dhe profesional. Pjesa e parë përshkruan nisjen e vështirë nga fshati Karicë i Matit dhe transformimin e ëndrrës së tij në një klinikë dentare private, “Mat Dental”. Libri thekson filozofinë udhërrëfyese të Dr. Kurtit: suksesi vjen duke jetuar me problemet e të tjerëve, duke gjetur kështu mirëkuptimin dhe mirënjohjen e popullatës, veçanërisht asaj të rrethit të Matit, të cilës e ka shërbyer me përkushtim.

Pjesa e dytë e këtij botimi i kushtohet njohjeve dhe titujve të lartë që ka marrë Dr. Sali Kurti. Ndër më të rëndësishmit është titulli “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës në vitin 2017, për kontributin shumëvjeçar dhe profesionalizmin e lartë. Vlen të përmendet edhe nderi si “Akademik” nga Bordi i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Nju Jork, i marrë së fundmi në vitin 2024, si dhe titulli “Qytetar Nderi”, të cilët dëshmojnë lartësinë e karrierës së tij.

Pjesa më voluminoze dhe më prekëse e librit “Dr. Sali Kurti, ikona e stomatologjisë shqiptare”, është pjesa e tretë, e cila sjell një përmbledhje të gjerë shkrimesh, intervistash dhe reflektimesh të njerëzve të ndryshëm, duke nisur nga gazetarë, miq, kolegë dhe pacientë. Këto dëshmi zbulojnë portretin e një mjeku që përpiqet të mjekojë jo vetëm dhëmbin që dhemb, por shpesh edhe “dhimbjen që s’tregohet me fjalë, atë që i rëndon shpirtit”. Një gërshetim ky i cilësisë profesionale me fisnikërinë dhe humanizmin e tij.

“Dr. Sali Kurti, ikona e stomatologjisë shqiptare” është më shumë se një biografi; është një vepër që u ofron lexuesve një model të denjë frymëzimi, duke nderuar një jetë të tijën të ndriçuar jo vetëm nga dija shkencore, por edhe nga drita humane e empatizmit dhe altruizmit.

Ky botim i Hysukës tashmë gjendet në qarkullim dhe pritet të shërbejë si një referencë historike për brezat e ardhshëm.