Nga Sindikata e Minatorëve të bashkuar të Bulqizës
Më datë 26 dhjetor 2019, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës i ka nisur kompanisë Albchrome kërkesën për nisjen e bisedimeve për kushtet e Kontratës së re Kolektive. Kërkesa ishte e shoqëruar, siç e parashikon edhe Kodi i Punës, me një kopje të Statutit të Sindikatës sonë dhe kopjen e 320 formularëve të anëtarësimit në SMBB.
Si çdo dokument tjetër që u kemi nisur në rrugë postare institucioneve të ndryshme, edhe kërkesa në fjalë ishte dërguar me Njoftim Lajmërimi. Pak ditë më parë u lajmëruam prej zyrës postare të Bulqizës që kërkesa kishte arritur në kompaninë Albchrome në Tiranë më 30 dhjetor 2019. Fillimisht punonjësit e kompanisë e kishin pranuar pakon e nisur, e më pas ishin kujtuar që ishin me pushime (!) duke e kthyer mbrapsht kërkesën. Fotografitë bashkëngjitur e tregojnë më qartë.
Ky është një veprim sa qesharak aq edhe dashakeq, që synon të zvarrisë dhe pengojë veprimtarinë sindikale të SMBB-së, përfaqësimin e punëtorëve prej saj dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me kompaninë Albchrome.
Sidoqoftë, më 6 janar 2020 kërkesën e kemi rinisur, duke qenë të bindur se drejtuesit e Albchrome tashmë i kanë përfunduar “pushimet”. Duke shpresuar që kompania do të nisë ta zbatojë Kodin e Punës, dhe saktësisht pikën 4 të Nenit 163, jemi në pritje që sa më shpejt të bëhet afishimi publik i kërkesës sonë në ambientet e minierës, çka do i hapte rrugë nisjes së bisedimeve për Kontratën e re Kolektive.
Minatorët e bashkuar, kanë për të fituar!