Nisja e vitit të ri shkollor ka bërë që Drejtoria Vendore e Policisë Dibër të dalë me një sërë masash për garantimin e rendit dhe sigurisë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2021 – 2022.
Në një deklaratë për mediat, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër thotë se në të gjitha shkollat e qarkut Dibër do ketë prezencë të shtuar të Policisë së Rendit, të asaj Kriminale dhe të Rrugores, për të garantuar rendin, me qëllim zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla dhe sigurinë rrugore për nxënësit që kanë shkollat pranë rrugëve kryesore.
Gjithashtu, strukturat e Policisë së Dibrës do të jenë të gatshme në çdo kohë lidhur me vlerësimin dhe realizimin e masave të sigurisë në shkolla dhe të monitorimit të masave mbrojtëse kundër COVID-19.
Duke përmbyllur deklaratën e saj Drejtoria Vendore e Policisë Dibër uron nxënësit në këtë vit të ri shkollor dhe fton cilindo që të denoncojë çdo shkelje apo paligjshmëri në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital.