Pas mbylljes zyrtarisht të garës për renditjen finale të 12 ekipeve të kategorisë së parë, të enjten e 24 Prillisht do të zhvillohen përballjet me eleminim direkt për të zënë vendin e skuadrës që do të përballet me ekipin e vendit të 8 në superligë. Dy takimet që do të luhen nesër janë ato mes Burreli dhe Pogradecit si dhe Apolonisë dhe Besës. Ekipet fituese në këto dy përballje do të luajnë me njëra – tjetrën dhe fituesi do të luajë pastaj në play off me skuadrën e vendit të 8 që aktualisht mbahet nga skuadra e Skënderbeut.
Ndërkohë, skuadra matjane është përqendruar totalisht tek takimi i së enjtes ku ka zhvilluar seanca të ngjeshura stërvitore që prej së dielës. Ekipi i drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj është besimplotë që do ta kalojë me sukses këtë sfidë e cila është shumë e rëndësishme për të kaluar në raundin tjetër për tu përballur me një nga ekipet që do të dalë fitues, Apoloninë apo Besën.
Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në orën 15:00 ku Burreli dhe Pogradeci përballen në stadiumin “Liri Ballabani”.