Nis vendosja e sinjalistikës në rrugët e qytetit të Burrelit

0
9

Pas riveshjes së disa rrugëve më kryesore në qytetin e Burrelit, tashmë ka nisur faza e dytë e zbatimit të këtij projekti. Këtë të Mërkurë në rrugët e qytetit ka filluar puna për vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe asaj vertikale. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Mat, Elson Reçi tha se kjo fazë do të përfshijë vijëzimet e të gjitha rrugëve të brendshme të qytetit, do të plotësohet sinjalistika vertikale si dhe do të bëhet e mundur vendosja e pengesave të shpejtësisë të cilat nuk do të jenë prej asfalti apo pllake siç ishte më parë, por prej gomine siç parashikohet në kodin rrugor për zonat urbane.
Nga ana tjetër, Bashkia Mat ju kërkon mirëkuptim qytetarëve gjatë punës që do të bëhet në çdo rrugë pasi do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit si dhe do të kërkohet zhvendosje e mjeteve gjatë procesit të ndarjes së parkimeve.