Rruga e fshatit Frankth në Njësinë Administrative Komsi ishte bërë gati e pakalueshme për shkak të gropave dhe kanaleve që ishin krijuar nga shirat e muajit të kaluar.
Situata u përkeqësua edhe me uljen e temperaturave dhe shfaqjen e akullit. Ishin banorë të Frankthit të cilët denoncuan problemet e kësaj rruge në faqen zyrtare të Mat Tv.
Ndërkohë këtë të hënë, me rikthimin e administratës së Bashkisë Mat në punë, ka nisur menjëherë ndërhyrja në këtë rrugë, për të mos lënë të izoluar qindra banorë të këtij fshati. Drejtues të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë Mat, thanë se në vazhdim janë planifikuar të gjitha ndërhyrjet emergjente në rrugët më problematike, për të mos penguar lëzivjen e banorëve drejt Burrelit.
Po ashtu, pritet që flotës së makinerive për mirëmbajtjen e rrugëve t’i shtohen edhe mjete të tjera, për të bërë të mundur ndërhyrjen në të gjitha rrugët e paasfaltuara të 7 njësive administrative të Bashkisë Mat.

Share
Read more