Nis nesër Kupa e Shqipërisë, Burreli pret në fazën e parë eleminatore ekipin e Shirokës (Albanët)

Nis nesër Kupa e Shqipërisë, Burreli pret në fazën e parë eleminatore ekipin e Shirokës (Albanët)
26 ekipe do të zbresin të mërkurën e 15 Tetorit në fushën e gjelbër për tu përballur me njëra – tjetrën në fazën e parë eleminatore të Kupës së Shqipërisë në futboll. Ekipi i Burrelit do ta nisë këtë fazë me ndeshje në shtëpi ku shorti i hedhur më parë i ka përcaktuar si rival në fushën e gjelbër skuadrën e Shirokës e njohur ndryshe si “Albanët” që aderon në grupin A të kategorisë së dytë në futboll. Ndërkohë, në këtë ndeshje mësohet se stafi tenik do t’i japë mundësinë lojtarëve që janë aktivizuar më pak në ndeshjet zyrtare të kampionatit të luajtura deri më tani. Kjo pritet që jo vetëm të sjellë fitoren në këtë fazë të parë por edhe që lojtarët të tregojnë më shumë aftësitë e tyre për të qenë pjesë e formacionit kryesor në ndeshjet e kampionatit. Megjithatë, Kupa e Shqipërisë mbetet në plan të dytë në objektivat e ekipit të futbollit “Burreli”, pasi përqendrimi më i madh i skuadrës matjane është deklaruar se do të jetë në garën e kampionatit të kategorisë së parë. Të dielën Burreli luan përballë Apolonisë së Fierit për llogari të javës së 6 të ligës së dytë më të rëndësishme në kampionatin e kategorisë së parë të futbollit shqiptar.