Nis ndërhyrja në Bulqizë, mbërrin mjeti eskavator nga Bordi i Kullimit Durrës
Pas dy javësh nga nisja si problematikë e përmbytjes së terminalit të autobusëve, rrugës lidhëse mes dy lagjeve të qytetit Bulqizës dhe bizneseve në zonë, ka nisur ndërhyrja në kanalin ujëmbledhës. Në ndihmë të Bashkisë Bulqizë ka mbërritur një mjet tip eskavator nga Drejtoria e Bordit të Kullimit Durrës ku ka nisur punën për zgjerimin e kanalit. Me rënien e intenstitetit të reshjeve të shiut ka rënë edhe niveli i ujit në zonën e përmbytur, por ende ka prezencë të tij. Banorët thonë se zgjidhja e këtij problemi duhet të nisë me pastrimin dhe zgjerimin e kanalit ujëmbledhës që në afërsi të Qafës së Buallit e të përfundojë në fshatin Vajkal. Vetëm në këtë mënyrë sipas banorëve arrihet një zgjidhje afatgjatë, por jo përfundimtare.
Mospërballimi i gjithë sasisë së ujit që grumbullohej nga Qafa e Buallit, bëri që dy javë më parë mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës të krijohej një basen ujor, duke bërë që të përmbytej terminali i autobusëve, bizneset e zonës dhe rruga lidhëse mes dy lagjeve.