Nis monitorimi në liqenet Ulëz e Shkopet, kërkohet heqja e rrjetave

0
18

  Prej ditës së djeshme ka hyrë në fuqi moratoriumi dy mujor i ndalimit të gjuetisë së peshkut në liqenet Ulëz e Shkopet. Në zbatim të udhërit të Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, numër 306 datë 28.03.2025, ndalimi i gjuetisë së peshkut në këto dy liqene do të bëhet nga data 25 Prill deri me datë 25 qershor, për t’i dhënë mundësinë peshkut Krap që të lëshojë vezët dhe të ketë shtim natyral të tij. Për këtë moratorium janë njoftuar të gjithë peshkatarët e liçensuar dhe që janë pjesë e Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit Ulëz. Që prej ditës së premte, specialistët dhe punonjësit e Drejtorisë së Politikave dhe Programeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit, Drejtorisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Policisë së Rendit dhe policisë bashkiake kanë nisur monitorimin e këtyre dy basenëve ujore në terren për të ndaluar rreptësisht dhe për të çuar para ligjit të gjithë ata persona apo grupe peshkatarësh që thyejnë moratoriumin e ndalimit të gjuetisë. Gjithashtu, këto struktura ftojnë qytetarët që të denoncojnë çdo rast të gjuetisë në këtë periudhë pasi është në paligjshmëri të plotë.