Nis asfaltimi i rrugës së Lurës në të dyja drejtimet, punimet inspektohen nga Kryebashkiaku i Dibrës
Projekti për sistemim-asfaltimin e rrugës Peshkopi – Lurë dhe Lurë – Perlat është drejt përfundimit. Prej disa kohësh zvarritje, firma, e cila e mori sëfundmi përfundimin e këtij projekti, ka nisur hedhjen e shtresës asfaltike. Puna po vijon në të dyja drejtimet nga Lura në drejtim të Arrasit të Dibrës dhe nga Lura në drejtim të Rrëshenit. Për të parë nga afër ecurinë e punimeve ishte kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, i shoqëruar nga deputetja Alma Selami dhe Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu. Banorët e Lurës falenderuan të gjitha institucionet që më në fund bënë realitet një investim të shumë-pritur prej tyre, asfaltimin e kësaj rruge. Ata shpresojnë që kjo vepër infrastrukturore të rikthejë në Lurë edhe ata që janë larguar vite më parë që të vijnë e të investojnë në vendlindjen e tyre.
Kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu tha se asfaltimi i rrugës Peshkopi – Lurë do t’i japë hov zhvillimit të Lurës, duke kontribuar në rritjen e turizmit natyror e malor, për të cilin kjo zonë karakterizohet.
Asfaltimi i plotë i të dy segmenteve të rrugës së Lurës pritet të mbyllet brenda muajit Nëntor të këtij viti.