
Mbrëmja e së enjtes është shoqëruar sërisht me reshje bore të cilat kanë përfshirë zonat nga 400 metra mbi nivelin e detit. Ndërkohë ato u shoqëruan me rënie të ndjeshme të temperaturave që zbritën deri në -6° C në zonat malore. Në orët e para të mëngjesit pati prani të madhe të akullit në rrugën nacionale Klos – Peshkopi. Firma mirëmbajtëse hodhi kripë për të shkrirë akullin.
Situata në Njësitë Administrative të Dibrës si Kala e Dodës, Selishtë, Lurë Zall – Dardhë etj vijon të jetë problematike pasi trashësia e borës ka arritur deri në 40 cm.
Në të njëjtën situatë ndodhen edhe Njësitë Administrative, Martanesh, Trebisht, Ostren të Bashkisë Bulqizë. Tërnova e Madhe dhe Tërnova e Vogël në Njësinë Administrative Zerqan janë të izoluara.
Megjithëse në mesditë temperaturat u rritën duke kaluar në vlera pozitive, nata pritet të rikthejë sërisht temperatura të ulta që do të shkojnë deri në -8 gradë Celsius në zonat malore.
Policia e Dibrës këshillon drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes dhe të kenë me vete zinxhirë.