Bashkia e Bulqizës ka reaguar në lidhje me ngjarjen e Shupenzës ku 30 banorë janë paraqitur dy ditët e fundit në Qendrën Shëndetësore të kësaj njësie me shenja helmimi. Fillimisht u dyshua që ky helmim të ketë ardhur nga uji i pijshëm, por Bashkia thotë se nuk ka patur asnjë problem me rrjetin e furnizimit me ujë të kësaj njësie administrative.

Reagimi i Bashkisë Bulqizë

🔴PËRGËNJESHTRIM I LAJMIT MBI HELMIMIN E BANORËVE NË SHUPENZË

Nisur nga një lajm i publikuar nga disa media të Tiranës në lidhje me helmimin e rreth 30 banorëve të Njësisë Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë bën me dije se ky është një lajm i pavërtetë.

Menjëherë pas publikimit të lajmit, Bashkia Bulqizë bëri verifikimet e nevojshme dhe të gjitha pretendimet rezultojnë të jenë të pavërteta. Në lidhje me këtë çështje, bëjmë me dije se në Njësinë Administrative #Shupenzë nuk ka kanalizim të ujërave të zeza, siç pretendohet në lajm. Rrjeti i ujësjellësit në këtë njësi është i ri dhe nuk ka dëmtime në asnjë linjë të ujësjellësit që furnizon me ujë Shupenzën si qendër dhe fshatrat përreth saj si #Okshatina, #Homeshi dhe #Boçeva.

Gjatë tre ditëve të fundit, ekipet teknike të ujësjellësit kanë monitoruar çdo segment që përbënte rrezik për tu dëmtuar nga reshjet e shiut dhe prurjet e lumenjve dhe përrenjve. Nga ky monitorim rezulton se të gjithë rezervuarët dhe vendburimet e ujit janë me elementë të plotë sigurie dhe të monitoruar nga manovruesit dhe rojat e ujësjellësit.

Gjithashtu është verifikuar edhe cilësia e ujit në të gjithë rezervuarët e fshatrave dhe është konstatuar se gjithçka është brenda normalitetit.

Gjatë pasdites së sotme janë marrë katër kampionë uji në katër pika të ndryshme, dy në Shupenzë dhe dy në Okshtatinë dhe pritet që nesër të dalin përgjigjet e analizave.