Rekamë

Që nga fillimi i javës së ardhshme me datë 14 Shkurt, në disa nga rrugët e qytetit të Burrelit do të zbatohet vendimi për parkimin me pagesë. Bashkia e Matit ka bërë gati të gjithë infrastrukturën e nevojshme që qytetarët të jenë të informuar për këtë shërbim. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Mat, Elson reçi shprehet se janë përcaktuar rrugët kryesore ku parkimi do të paguhet nga e hëna në të shtunë nga ora 8:00 deri në orën 20:00. Parkimi është ndarë në dy zona, ku tarifa do të jetë e njëjtë, por koha e qëndrimit do të jetë e ndryshme. Reçi shtoi se kjo bëhet për të disiplinuar qarkullimin e automjeteve në qytet dhe të ardhurat që do të grumbullohen do të përkthehen në shërbime ndaj qytetarëve.

Nga ana tjetër, Reçi shtoi se parkimi publik papagesë do të jetë në hapsirën para stadiumit “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit. Për të paguar parkimin ju duhet që të keni para në numrin tuaj cellular dhe të dërgoni mesazh në numrin 51500 me tekst targën e mjetit tuaj dhe zonën ku keni parkuar. Në zonën A pagesa do të jetë 50 lekë të rinj për qëndrimin nga 0 deri në 2 orë, ndërsa në zonën B pagesa do të jetë po e njëjtë, 50 lekë ndërsa koha do të jetë 0 deri në 3 orë.