Dita Botërore e Fëmijëve të Zhdukur edhe këtë vit i ka gjetur shumë fëmijë larg familjeve të tyre dhe këto të fundit me një bregë në zemër dhe me dëshirën për më shumë informacion.

Në portalin botërorë për fëmijët e zhdukur, Global Missing Children’s mes rasteve të shumta të fëmijëve që ende rezultojnë të zhdukur janë edhe tre shqiptarë.

Bleona Mata është një nga rastet më të njohura për publikun pasi ai ka bërë jehonë në media për shumë vite tashmë. Ajo u zhduk në moshën 6 vjeçare pasditen e 22 majit të vitit 2010, teksa kulloste bagëtitë në malin e fshatit Zapod të Kukësit . Prej asaj dite nuk dihet asgjë rreth fatit të saj.

Në fillim dyshimet ranë mbi vajzat që e shoqeronin Bleonën atë ditë, mes tyre ishte dhe halla e 6 vjeçares. Mamaja e saj vijon ta kërkojë dhe gjatë viteve ka patur akuza midis familjarëve të cilët akuzojnë njëri tjetrin për zhdukjen e vajzës.

Fëmija tjetër në listë është Julian Çela, djali i nëndrejtorit të Antiterrorit të SHISH-it në atë kohë. Ai është zhdukur më 30 nëntor 2012 në moshën 10-vjeçare. Për zhdukjen e tij është akuzuar pedofili Ardian Prenjasi i cili ka pranuar se e ka vrarë vogëlushin. Megjithatë dëshmia e tij në polici mbi vendndodhjen e trupit të Julianit nuk rezultoi e saktë nga kërkimet pasi nuk u gjet asnjë gjurmë e trupit të vogëlushit.

Mateo Bejaj është zhdukur nga fshati Fitore në Vlorë, më 16 korrik të vitit 2001. Ai humbi kontaktet me familjen, teksa doli të lunate me shokët. I fundit që e ka parë ka qenë një 25-vjeçar dhe që nga ai moment nuk dihet më asgjë për këtë.