Të dielën e 13 Prillit do të luhen ndeshjet e javës së 32 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Matjanët presin në shtëpinë e tyre ekipin e Valbonës së Tropojës, një skuadër e cila mban aktualisht vendin e parafundit në renditjen e përgjithshme si dhe bashkë me Erzenin vitin tjetër do të luajnë në kategorinë e dytë.
Megjithatë, tekniku Ditmar Bicaj ka udhëzuar skuadrën e tij që të mos e neglizhojë për asnjë moment kundërshtarin pavarësisht ecurisë së tij në këtë kampionat dhe vendit në të cilin ndodhet aktualisht.
Ndërkohë, ekipi ka zhvilluar të gjitha seancat stërvitore dhe këtë të shtunë i ka mbyllur ato me udhëzime konkrete. Aktualisht ekipi matjan pozicionohet në vendin e 4 me 52 pikë në 31 ndeshje të luajtura, ndjekur nga Pogradeci i vendit të pestë me 46 pikë. Sakaq, ekipi i Valbonës ka mundur të mbledhë vetëm 16 pikë në 31 javë kampionat dhe ndodhet në vendin e 11.
Të 12 skuadrat e kategorisë së parë do të zbresin në fushë nesër në orën 15:00 për të mbyllur javën e 32 të kampionatit me përballjet Flamurtari – Erzeni, Besa – Vora, Burreli – Valbona, Pogradeci – Kukësi, Kastrioti – Apolonia dhe Lushnja – Korabi.