Nesër, Luftëtari – Burreli, Nikaj: shkojmë për tri pikë të plota

Nesër, Luftëtari – Burreli, Nikaj: shkojmë për tri pikë të plota
Do të zhvillohen të shtunën një pjesë e ndeshjeve të javës së tretë të kategorisë së parë në futboll. Matjanët do të udhëtojnë drejt qytetit të gurtë të Gjirokastrës për tu përballur me ekipin vendas, Luftëtarin. Djemtë e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj synojnë pikët maksimale në këtë transfertë, pas fitores së arritur në ndeshjen e javës së dytë në stadiumin “Liri Ballabani” ndaj ekipit të Kukësit. Për teknikun Nikaj, asgjë nuk i ndal të tijët për të arritur një rezultat maksimal, pasi tashmë skuadra është e konsoliduar me ndeshjet zyrtare të luajtura deri tani. Ekipi matjan ka zhvilluar seanca të gjata stërvitore, kjo falë edhe kohës së gjatë që ka patur për tu përgatitur për shkak të ndeshjes së kombëtares që i dha mundësinë skuadrave të kategorisë së parë të kishin dy javë pushim. Sipas numrit një të pankinës matjane Samuel Nikaj, ekipi do të jetë i plotë në këtë përballje dhe se nuk do të ketë asnjë mungesë të formacionit të parë. Trajneri i “Burrelit” Samuel Nikaj shtoi gjithashtu se pika më e fortë e skuadrës është loja në grup, por ka edhe elementë vetjak që bëjnë diferencën dhe që pritet të japin rezultat maksimal në fushën e gjelbër të Kukësit në transfertë. Gjithashtu të shtunën do të zbresin në fushë për të luajtur përballë njëri – tjetrit edhe ekipet rivale: Pogradeci – Laçi, Besa – Apolonia dhe Kastrioti – Korabi.