Rekamë

Kjo do të jetë java e parafundit e kampionatit të kategorisë së parë në futboll ku ekipet do të përballen me njëra – tjetrën. Kalendari ka vendosur këtë javë Burrelin përballë Korabit të Dibrës ndeshje e cila do të luhet në Peshkopi.

Ndërkohë, matjanët do të kërkojnë pikët maksimale në këtë përballje për të bërë të mundur daljen nga zona e ftohtë që i mban në play out me ekipet e kategorisë së dytë.

Djemtë e drejtuar nga tekniku Klevis Hima do të duhet ta fitojnë këtë ndeshje pas disa ndeshjeve të humbura me ekipet më të dobëta të kategorisë së parë. Kjo është mundësia e parafundit e Burrelit për të marrë pikët maksimale, pasi ndeshja që mbyll kampionatin do të jetë ajo në “Liri Ballabani” me Apoloninë e Fierit.

Skuadra e Burrelit ka arritur të mbledhë 34 pikë deri tani dhe ndodhet në vendin e 9 me pikë të barabarta me Lushnjën e vendit të 8. Ndërkohë, ngjitja e Burrelit më lart në renditje do të varet nga rezultati final i përballjes mes Lushnjës dhe Kastriotit të Krujës.

Të gjitha përballet do të luhen të shtunën në orën 16:00.