
Ekipi ynë i futbollit “Burreli” do të presë të dielën në shtëpi ekipin e Lushnjës për të zhvilluar ndeshjen e javës së 31 të këtij kampionati. Teksa gara e këtij sezoni po shkon drejt fundit, skuadrat po luftojnë fort për të qëndruar në kategorinë e parë. Burrelit i duhet patjetër fitorja këtë të dielë në mënyrë që të ketë mundësinë t’i largohet zonës së play ouit-tit që e vë përballë skuadrave të kategorisë së dytë të cilat kërkojnë ngjitjen në kategorinë e parë.
Përballja me Lushnjën pritet të jetë e vështirë pasi as kjo skuadër nuk e ka fituar përfundimisht zonën e ftohtë pasi ndodhet vetëm 3 pikë larg skuadrës së Burrelit të drejtuar nga tekniku Klevis Hima.
Ndërkohë, përgatitjet për ta fituar këtë ndeshje janë bërë gjatë gjithë javës ku futbollistët kanë marrë direktivat e fundit këtë të shtunë nga stafi teknik.
Përballja do të jetë të dielën në orën 15:00 në stadiumin “Liri Ballaban’’ ndërsa drejtuesit teknik të skuadrës kërkojnë mbështetje të fuqishme nga tifozëria.
Kampionatit të kategorisë së parë i kanë mbetur edhe tre ndeshje për të përcaktuar ata që ngjiten në një kategori më lartë dhe ata që zbresin në kategorinë e dytë.