Në nëntor të vitit 2023 do të hapet kantieri për Skavicën, thotë Balluku

0
32

Zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri me dije se në nëntor të vitit 2023 do të hapet kantieri për HEC-in e Skavicës.


Projekti vlerësohet të kushtojë rreth gjysmë miliardë euro gjatë pesë viteve të ndërtimit.

Ai synon ta bëjë sistemin hidroenergjetik të Shqipërisë më pak të varur nga moti.

Puna përgatitore për atë që do të jetë projekti më i madh i ndërtimit në Shqipëri që nga rënia e komunizmit në 1991, vjen ndërsa rajoni i Ballkanit Perëndimor – krahas Evropës dhe Perëndimit – përpiqet të reduktojë varësinë e tij nga importet e gazit rus.

Diga është parashikuar të rrisë prodhimin vendas të energjisë së Shqipërisë me 20 për qind, me shpresën se do ta transformojë vendin në një eksportues të energjisë së pastër.

“Skavica është projekti më sfidues dhe më i mrekullueshëm që kemi për të krijuar pavarësi nga importet”, deklaronte Belinda Balluku.

Bechtel, kompania më e madhe e ndërtimit në SHBA, është punësuar nga Qeveria shqiptare për të kryer studime dhe për të bërë propozime për digën, e cila do të jetë në pronësi publike.

Kompania me bazë në Virxhinia ishte njëra nga një konsorcium kompanish që ndërtuan Digën Hoover në vitet 1930 në kufirin midis Nevadës dhe Arizonës.

“Diga Hoover ishte transformuese në ditët e saj. Skavica është në të njëjtën shkallë”, thotë Entela Ruci, menaxhere e zhvillimit të biznesit në Ballkan në Bechtel. “Do të krijojë deri tani burimin më të madh të energjisë së pastër në të gjithë Ballkanin”.