Nga Sindikata e Bashkuar e Minatorëve Bulqizë

Në një njoftim publik të datës 4 janar 2020, sindikata e vjetër ka deklaruar se ka bërë një takim zyrtar me kompaninë Albchrome, në të cilin kanë diskutuar rreth disa çështjeve. Nuk na habit aspak një takim i tillë, por statusi në të cilin është paraqitur sindikata e vjetër. Prej javësh tashmë, përfaqësuese e punëtorëve të Minierës së Kromit të Bulqizës është Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Sindikata e vjetër mund të bëjë takime me kë të dojë dhe sa të dojë, por nuk mund të flasë në emër të minatorëve të Bulqizës.

Në njoftimin publik në fjalë, përmenden disa pika diskutimi, ndaj të cilave nuk mund të rrinim pa reaguar.

  1. Pretendimi se i ka kërkuar kompanisë rishikimin e masave disiplinore ndaj disa minatorëve.

Fakti është që sindikata e vjetër nuk është shqetësuar aspak për pushimet nga puna dhe masat e tjera të paligjshme ndaj minatorëve. Ajo ka qenë nxitësja dhe mbështetësja më e madhe e kompanisë Albchrome në këtë aspekt. Ndalimi i masave të mëtejshme represive dhe të paligjshme ndaj minatorëve ka ardhur si pasojë e presionit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Përpjekja jonë nuk do të ndalë deri në kthimin në punë të drejtuesve tanë të pushuar padrejtësisht.

  1. Pretendimi për rishikimin e normave përmes një komisioni ekspertësh.

Kjo është një nga kërkesat kryesore të sindikatës së re dhe minatorëve. Këtë kërkesë minatorët e kanë pasur prej kohësh, por sindikata e vjetër nuk i ka dëgjuar në asnjë moment. Sigurisht që nuk do të gënjehemi nga ky premtim dhe as nga mënyra që propozohet për të caktuar normat. Komisioni i ekspertëve që do të gjejë kompania mund të kërkojë edhe rritje të mëtejshme të normave. Normat duhet të rishikohen dhe të vendosen në marrëveshje me minatorët, sipas normave të mëparshme që kanë pasur.

  1. Pretendimi se sindikata e vjetër ka kërkuar nisjen e bisedimeve për kontratën e re kolektive, kërkesë që qenka pranuar nga kompania.

Bisedimet për kontratën kolektive i bën kompania me sindikatën më të madhe që përfaqëson punëtorët. Sindikata më e madhe në kompaninë Albchrome, dega Bulqizë, është Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Që më 26 dhjetor 2019 i kemi nisur kompanisë Albchrome kërkesën për nisjen e bisedimeve për kontratën e re kolektive, bashkë me formularët e anëtarësimit në sindikatën tonë.

Jemi të vetëdijshëm që kompania do të preferonte sindikatën e vjetër, e cila është thjesht zgjatim i interesave të saj. Por marrëveshja nuk bëhet me veten (kompani-sindikatë e vjetër servile), por me tjetrin, palën që përfaqëson minatorët: Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Çdo pazar midis kompanisë dhe sindikatës së vjetër bëhet në kurriz të minatorëve dhe shkel me të dyja këmbët Kodin e Punës. Për këtë gjë do t’iu drejtohemi të gjitha institucioneve përgjegjëse brenda Shqipërisë, por edhe sindikatave/organizatave jashtë vendit.

  1. Hapja e pusit të thellësisë dhe investimet e tjera që pretendon se ka bërë kompania Albchrome.

Kompania Albchrome ka të drejtën e saj që të propagandojë investimet që ka bërë. Por këtë gjë nuk mundet dhe nuk duhet ta bëjë një organizatë që pretendon se është sindikatë dhe përfaqëson punëtorët. Në vend që t’i bëjë bilancin kompanisë, sindikata duhet të interesohet shumë më shumë për thërrimet që fusin në xhep minatorët.

Sindikata e vjetër vazhdon të jetë ashtu siç e kemi deklaruar prej kohësh: sekretare dhe seksere e kompanisë. Kjo palo sindikatë nuk mundet kurrsesi të përfaqësojë minatorët.

Këtë gjë duhet ta kuptojë dhe pranojë edhe kompania Albchrome, e cila në zbatim të ligjit duhet të mos vonojë nisjen e bisedimeve për kushtet e kontratës së re kolektive me Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.