Popullsia e Shqipërisë pritet të shënojë ndryshime të mëdha në strukturën e saj në dekadat në vijim. Organizata e Kombeve të Bashkuara në vlerësimet për trendin e popullsisë shqiptare parashikon që në skenarin optimist, në vitin 2100 vendi të ketë 1.9 milionë banorë. Në skenarin e mesëm, popullsia pritet të bjerë në 1.08 milionë banorë dhe në skenarin më të keq në fund të vitit 2100, popullsia shqiptare pritet të ketë vetëm 512 mijë banorë. Pesha e popullsisë në moshë të re pritet të ulet, ndërsa do të rritet ndjeshëm ajo e të moshuarve. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar profilin demografik të Shqipërisë për vitin 2020, përmes grafikëve që paraqesin popullsinë e vendit, të ndarë sipas gruposhave. Që nga viti 1990 shihet se kanë ndodhur ndryshime thelbësore, që pritet të përkeqësohen ndjeshëm deri në vitin 2100. Deri në vitin 2100, popullsia e vendit jo vetëm pritet të tkurret, por edhe piramida e popullsisë do të përmbytet tërësisht. Pjesën më të madhe të popullsisë do ta zërë grupmosha mbi 65 vjeç. Këto ndryshime drastike lidhen me uljen e lindjshmërisë dhe me tendencën e emigracionit të popullsisë.