Ndryshon ligji për energjinë elektrike

Ndryshon ligji për energjinë elektrike
CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 90

Rishikohet projektligji për energjinë elektrike. Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ka hedhur për konsultim draftin me të cilin synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me atë të BE-së, shtimin e burimeve të rinovueshme, inovacionin teknologjik dhe ruajtjen e çmimeve të përballueshme për klientët në nevojë.

Kriteret për të përfituar nga statusi i klientit në nevojë janë zgjeruar për të përfshirë tre elementë të rinj: numrin e familjeve në varfëri energjetike; moshën e klientit; dhe çdo kriter tjetër të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Në projektligj parashikohet që klientët në nevojë të përfitojnë furnizim me energji me çmime të rregulluara, bazuar në parime si transparenca, proporcionaliteti dhe verifikueshmëria. Kjo bën të mundur mbrojtjen e tyre sociale dhe ekonomike nga luhatjet e tregut.

Fokus do të jetë edhe shtimi i burimeve të energjisë së rinovueshme. Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës parashikon që pjesa e energjisë nga burimet e rinovueshme në konsumin final bruto të energjisë elektrike të jetë të paktën 50%.

Projektligji i ri për sektorin e energjisë elektrike synon të fuqizojë konsumatorët, duke i përfshirë ata si klientë në prodhimin dhe depozitimin e energjisë. Konsumatorët fundorë që kualifikohen si të tillë do të kenë të drejtë të vetëprodhojnë deri në 500 kW pa barriera administrative apo tarifore.

Një tjetër risi në draft është promovimi i pjesëmarrësve të rinj në treg, si komunitetet e energjisë dhe operatorët e depozitimit, si dhe zbatimi i sistemeve të matjes inteligjente.