Ndryshohet edhe shefi i komisariatit Mat
Pas ndryshimeve të bëra pak ditë më parë në një pjesë të komisariateve në të gjithë vendin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur këtë të premte një tjetër rrokadë në kupolën drejtuese në rrethe.
Pas lëvizjeve të bëra në komisariatet Dibër e Bulqizë, ku drejtuesit e këtyre dy komisariateve u transferuan në Tiranë, radhën e kishte Komisariati i Policisë Mat.
Kryekomisar Ervis Sançolli nga shef komisariati Mat me këtë rrokadë shkon Shef Komisariati Lezhe, ndërsa kryekomisar Robert Losha nga shef Komisariati nr.7 Tiranë vjen Shef Komisariati Mat.
Ndryshimet e strukturave drejtuese në rrethe deri tani nuk kanë prekur drejtoritë vendore. Ndërkohë të gjithë shefat e komisariateve ishin emëruar një vit më parë sipas një konkursi kombëtarë për të gjithë strukturat drejtuese të policisë së shtetit në nivel drejtues komisariatesh dhe Drejtorisë Vendore.
Rrokada e drejtuesit të Policisë së Shtetit Ilir Proda vjen 10 muaj pas emërimit të tyre në Dhjetor të vitit të kaluar.