
Aksi rrugor Qaf Bualli – Klos vijon të ndotet. Në shumë zona janë krijuar pika mbeturinash për shkak të hedhjes së tyre pa kriter. Një ndër zonat që po vijon të ndotet është ajo mbi fshatin Plan i Bardhë, ku në të paktën dy pika janë hedhur mbetje të shumta. Në këto zona, janë sheshe pushimi për automjetet ku udhëtarët ndalohen dhe derdhin ambalazhet e produkteve që kanë konsumuar gjatë udhëtimit. Por jo vetëm kaq, në këtë zonë janë hedhur edhe orendi shtëpijake, të cilat me siguri janë shkarkuar nga automjete të transportit të mallrave.
Një tjetër pikë në të cilën janë hedhur shishe plastike, apo ambalazhe të tjera pijesh freskuese e alkoolike është në afërsi të pishave në zonën e Qaf Dushkut. Edhe në këtë zonë është vendpushim automjetesh që ndalen gjatë udhëtimit në drejtim të Bulqizës apo Klosit.
Ndotja e mjedisit përgjatë rrugës nacionale Qaf Buall – Klos është një problem i vazhdueshëm, ndërsa askush deri tani nuk është vënë para përgjegjësisë për këtë masakër mjedisore të shkaktuar nga dora e njeriut.