Ndotja nga mbetjet në fshatin Kloskatund

0

  Hedhja e mbeturinave pa kriter në mjedise jo të lejuara është një fenomen i gjerë në vendin tonë, teksa ndërgjegja qytetare nuk është ende në lartësinë e kërkuar.

Mbeturinat hidhen kryesisht buzë rrugëve ku dhe personat e papërgjegjshëm e kanë më të lehtë t’i shkarkojnë. Aksi më i ndotur mbetet ai i fshatit Kloskatund në Bashkinë e Klosit, teksa me rënien e fluksit të qarkullimit të automjeteve është një vend i fshehtë për të hedhur mbeturina inerte dhe ato të konsumit të përditshëm.

Por jo vetëm kaq, ndotje ka edhe në afërsi të urës së fshatit Fshat që të dërgon në rrugën e Arbrit. Rruga që të dërgon për tek vepra e marrjes së kanalit vaditës të Klosit përdoret për të depozituar mbetje nga individë apo subjekte që kryejnë punime në ndërtesa të ndryshme.

Vetëm pak metra larg rrugës dhe rrjedhës së ujit të lumit Mat, këto mbeturina përfundojnë në liqenin e Ulzës duke rritur ndjeshëm ndotjen mjedisore.

Specialistët e mjedisit këshillojnë që autoritetet të punojnë jo vetëm me vendosjen e shërbimit të grumbullimit dhe tërheqjes së mbeturinave të konsumit të përditshëm, por edhe me ndërgjegjësimin qytetar që të marrë fund njëherë e mirë ndotja mjedisore në këtë lloj mënyre.