Ndotja në Qaf Buall – Klos nuk di të ndalet, asnjë masë e marrë deri tani

Ndotja në Qaf Buall – Klos nuk di të ndalet, asnjë masë e marrë deri tani

Rruga nacionale nga Qafa e Buallit deri në Klos vijon të jetë pritëse e mbeturinave të ndryshme. Situata më problematike mbetet mbi fshatin Plan i Bardhë në afërsi të Qafës së Buallit.

Në këtë zonë vijojnë të hidhen mbeturina, kryesisht inerte të dala nga rikonstruksione të objekteve të ndryshme. Tashmë ndotësit po i depozitojnë mbetjet në thasë plastik për të lehtësuar kohën e shkakrimit të tyre nga automjetet.

Jashtë kameras, banorët e fshatit Plan i Bardhë i qëndrojnë idesë se këto mbeturina vijnë nga Bulqiza. Ata shtojnë se në vend që personat që i hedhin të shkojnë t’i depozitojnë tek vendi i grumbullimit të mbetjeve, i lënë në gjysmë të rrugës.

Por situatë shqetësuese mbetet edhe në zonën e fshatit Kloskatund. Edhe përgjatë segmentit të rrugës nacionale në këtë fshat depozitohen mbeturina të ndryshme që nga ambalazhet e produkteve të konsumit të përditshëm e deri tek mbetjet urbane.

Banorët apelojnë që institucionet të vendosin kamera monitorimi, sinjalistikë paralajmëruese dhe të organizojnë aksione të rregullta pastrimi, në mënyrë që ky segment të mos mbetet “pikë e zezë” për mjedisin dhe shëndetin publik.