Liqeni i Ulzës është kthyer në një pirg të madh mbeturinash të cilat kanë përfunduar aty prej disa ditësh si rezultat i reshjeve të shirave.
Mbetje plastike nga më të ndryshmet, apo mbeturina të tjera kanë zënë një sipërfaqe të madhe të liqenit pranë digës së Hidrocentralit të Ulzës. Situata është e njëjtë si në katër vitet e fundit pasi mbeturinat nuk mund të dalin jashtë digës si rezultat i rritjes së nivelit të portave shkarkuese. Prania e madhe e mbeturinave në këtë liqen është kthyer në një rrezik potencial për gjallesat ujore e kryesisht peshqit. Duke qenë se shishet plastike kanë patur materiale të ndryshme që nga vajrat, pijet fresukese e deri tek detergjentët apo acidet, rreziku që ju kanoset peshqëve është i madh.
Jashtë kameras peshkatarët thonë se në situata të tilla ku shirat vazhdojnë për disa dit, liqeni mbushet nga këto mbeturina të cilat përcillen aty nepërmjet lumit Mat që nga burimi i tij në Martanesh. Disa nga peshkatarëve ju kanë ngecur varkat në mbeturina e nuk mund të dalin as për gjueti.
Një tjetër pasojë negative e pranisë së mbeturinave është edhe në turizëm. Shumë vizitor që zgjedhin të shijojnë bukurinë e zonës apo të liqenit përballen me këtë pamje aspak të këndshme.