Minatorët e Bulqizës që punojnë në minjerën që administrohet nga Albchrome kanë ndërprëerë momentalisht grevën e nisur që me datë 25 Nëntorë. Në një deklaratë të tyren, kjo sindikatë thotë se: “Pas një takimi të gjatë me përfaqësuesit e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe zotimit të tyre se do t’i hetojnë me imtësi pushimet nga puna të shokëve tanë, vendosëm ta ndërpresim përkohësisht grevën. Ne, njëkohësisht do të nisim edhe betejën në gjykatë.
Nëse zyrtarët e Albchrome-it do të guxojnë ta shtrijnë hakmarrjen e tyre te të tjerë minatorë, ne zotohemi se do ta përshkallëzojmë grevën në format më të rënda të mundshme për fitimet e kompanisë.
Sot Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është përfaqësuesja ligjore e shumicës së minatorëve. Sipas Kodit të Punës, sindikatës tonë i takon e drejta të negociojë kontratën e ardhshme kolektive, e cila duhet të përfshijë se s’bën kthimin e shokëve në punë, siguri të plotë në punë, rritje të pagave dhe ulje të normave skllavëruese. Vendimi ynë për ndërprerjen e përkohshme të grevës është një hap i nevojshëm që do të na japë vrull më të madh javët në vazhdim, për ta detyruar kompaninë të vërë të drejtën në vend” – thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Ndërkohë deri tani sipas sindikatës kompania ka pushuar nga puna drejtuesin e sindikatës dhe një anëtar të këshillit sindikal. Mes sindikatës së re të Bulqizës dhe Albchrome pritet një marrëveshje, por nëse ajo nuk ndodh, minatorët do t’i rikthehen grevës.