Nderohen FA dhe FSK për misionin e gjetjes së Jurgen karajt
Pas 29 ditë kërkimesh, të shtunën e 7 shkurtit u bë e mundur gjetja e trupit të pajetë të 30-vjeçarit Jurgen Karaj, nga fshati Fullqet i Bashkisë Klos, i cili u rrëmbye nga rrjedha e lumit Mat, pas një aksidenti me makinë bashkë me shokun e tij, Andi Losha me 10 Janar të këtij viti. Misioni për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit ishte i vështirë i shtrirë në një gjatësi lumore prej më shumë se 30 kilometrash dhe basenin ujor të liqenit të Ulzës. Ndërkohë, trupi i tij u konstatua në hyrje të liqenit, aty ku bashkohet rrjedha e lumit Mat me Zallin e Urakës. Trupi i pajetë i të riut i është dorëzuar familjes pas ekspertizës mjekoligjore të kryer në Tiranë. Për më shumë se 9 javë me radhë Forcat e Armatosura të Shqipërisë, institucioneve të tjera e vullnetarë, kërkuan disa herë shtratin e lumit Mat, ndërsa me 29 Janar kërkimeve ju bashkuan edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës të pajisur me dron nënujor. Në datën 7 Shkurt u bë e mundur gjetja e trupit të të riut duke mbyllur përfundimisht misionin e forcave të armatosura të të dyja shteteve. Në shenjë falenderimi, Bashkia e Klosit vlerësoi me Mirënjohje komandantët e Operacionit të të dyja shteteve, duke çmuar lart kontributin e të gjithë atyre që u angazhuan në kërkim të trupit të të riut klosjan. Po ashtu, Komandanti i Përgjithshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari dekoroi pjesëtarët e Njësisë së Kërkim-Shpëtimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së, të cilët kanë qenë të angazhuar në operacionin humanitar të kërkim 30-vjeçarit Jurgen Karaj.