Ndërhyhet në rrugën Burrel – Rrëshen
Firma e cila ka në kontratë mirëmbajtje e aksit nacional Ura e Matit – Rrëshen ka ndërhyhrë në përmirësimin e gjendjes së kësaj rruge, e cila është një nga arteriet e rëndësishme të Matit pasi lidh jo vetëm Qarkun Dibër me atë të Lezhës, por përdoret edhe nga mijëra banorë të Bashkisë Mat. Reshjet e shiut e kishin kthyer gati të pakalueshme këtë rrugë për shkak të gropave të krijuara në të dhe shembjeve të shumta të dherave në disa pika të tij. Sakaq, me përmirësimin e kushteve atmosferike, firma mirëmbajtëse ka bërë ndërhyrje të përgjithshme duke mbushur gropat me zhavorr dhe duke eleminuar gungat e krijuara nga amortizimi gjatë stinës së dimrit. Siç duket nga pamjet, segmentet më problematike si ai në Shoshaj, Zenisht dhe në afërsi të urës së Urakës janë rehabilituar. Ndërhyrja në këtë formë ka edhe anën tjetër të medaljes. Banorët që jetojnë përgjatë kësaj rruge thonë jashtë kameras se problemi në periudhën në vijim mbetet pluhuri i lartë që shkaktohet nga qarkullimi i automjeteve nëpër zhavorr, tym e smog që mbulon gjithçka që nga banesat, bizneset e deri tek pemët frutore që i kanë anash rrugës. Ekspertët vijojnë të shprehen se ky aks nacional ka nevojë për një rehabilitim të plotë dhe cilësor, në mënyrë që problemet të zgjidhen njëherë e mirë, sikurse në aksin Burrel – Klos.