Ndalen reshjet e shiut në Qarkun Dibër, reshje bore deri 1000 metra mbi nivelin e detit
Reshjet e shiut ja kanë lënë vendin borës në Qarkun Dibër. Në lartësinë deri mbi 1000 metra mbi nivelin e detit pati reshje dëbore. Bora arriti deri në 10 centimetra por pa krijuar probleme me qarkullimin e automjeteve.
Fshatrat e Dibrës si Lura, Kalaj e Dodës, Arras janë mbuluar nga bora, ndërsa rrugët që i lidhin me Peshkopinë janë të hapura.
Në Bulqizë reshjet kanë prekur fshatrat e Tërnovës së Madhe e të Vogël si dhe disa fshatra të njësisë administrative Martanesh.
Në Klos, reshjet e dëborës përfshinë fshatin Xibër Murrize por pa penguar lëvizjen normale të banorëve, ndërsa zona e Qaf Murrizes u shfrytëzua nga të apasionuarit e makinave në rrugë të vështira.
Në Mat, situatë problematike vijon të jenë rrugët rurale të cilat u dëmtuan nga reshjet e shiut që përfshin vendin prej një jave.
HEC-et Ulëz e Shkopet kanë hapur portat për shkak të prurjeve të mëdha të lumit Mat e rrjedhave të tjera.
Sinoptikanët parashikojnë që moti do të jetë i paqëndrueshëm ku do të rikthehen reshjet e shiut në orët e vona të mbrëmjes së sotme, për të vijuar edhe në dy ditët e ardhshme.
Sakaq, temperaturat do të jenë në rritje, ndërsa përmirësim të kushteve atmosferike pritet të ketë të enjten dhe të premten.