Ndahen dhurata për fëmijët e shkollave në Lis, Shëlli e Burrel
Kisha Ungjillore Burrel në bashkëpunim me “Mat Televizion” ka vijuar me ndarjen e dhuratave me rastin e festave të fundvitit, Krishtlindjes dhe vitit të ri edhe për nxënës të disa shkollave të tjera në Bashkinë Mat. Kështu, përfaqësues të këtyre dy institucioneve u ndalën me nxënësit e shkollave “Abdyrrahman Përmeti” në Lis dhe shkollën 9 vjeçare të fshatit Shëlli. Për fëmijët e këtyre shkollave u shpërndanë pako me asortimente të ndryshme festive e didaktike shkollore për festat e fundvitit. Drejtoresha e shkollës së mesme të bashkuar “Abdyrrahman Përmeti” Lis, Afërdita Heta Bruçi tha se këto dhuarata janë një lumturi e shtuar për fëmijët e këtyre shkollave të cilët ashtu si bashkëmoshatarët e tjerë të tyre i presin me padurim çdo fundvit.
ashtu, ndarje dhuratash me rastin e festave të fundvitit u bë edhe në shkollat e qytetit të Burrelit. Në ndarjen e dhuratave ishte i pranishëm edhe vetë Drejtori i Zyrës Vendore Arsimore Mat, Lefter Salaj, i cili falenderoi donatorët të cilët bënë të mundur që fëmijët e klasave të para që morën dhurata, të përjetojnë lumturinë e festave të fundvitit. Ndërkohë, Pastori i Kishës Ungjillore Burrel, Rustem Beqiri tha se ndarja e pakove në festat e fundvitit është kthyer tashmë në traditë që do të vijojë edhe vitet e ardhshme.