
E mbani mend që një vit më parë promovuam masivin e madh me lulen e emërtuar si Narcisus Poeticus në zonën e Xibrit, apo siç njihet në disa zona si lule Zonje apo lule Batrre. Një vit më pas, pikërisht në periudhën e çeljes së kësaj luleje, vizitor nga Tirana kanë mbërritur në fushat e malit të Ketit që ndodhet mbi fshatin Xibër – Hane të Bashkisë së Klosit. Pamja këtu është vërtetë e magjishme, duke mahnitur të gjithë vizitorët që vijojnë të shkojnë atje. Për shkak të temperaturave jo të përshtatshme, lulja e poetit ka çelur me vonesë dhe kjo favorizon të gjithë kureshtarët apo të apasionuarit e natyrës, ta gjejnë atë në këto ditë maji. Vizitorët nuk e fshehin dot mahnitjen nga livadhet pafund me këtë lule.
Megjithëse nuk ka ende një gudië zyrtare, në masivin me lulen e poetit që gjendet në Xibër, këtë fundjavë do të shkojnë të tjera grupe, edhe pse nga rruga e makinës duhet të ecësh të paktën 40 minuta në këmbë.