Ashtu si në të gjithë vendin janë organizuar sot festime në kuadër të ditës së verës. Bashkia e Matit zgjodhi të argëtojë të rinjtë në një aktivitet në ambjent të hapur të zhvilluar pranë shtratit të lumit Mat. Në këtë aktivitet ishin parashikuar lojëra të ndryshme si volejboll, basketboll, ping-pong etj. Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se dita e Verës do të marrë rëndësinë e duhur çdo vit.

Të rinjtë e Matit u argëtuan për disa orë dhe u dëfryen nën tingujt e ndryshëm muzikor.

Dita e verës që prej vitit 2004 është një festë kombëtare e vendosur në kalendarin e festave zyrtare. Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 Mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave. Festimet nisin që një natë para ku qytetarët ndezin zjarr që simbolizon zjarrin e fundit për të larguar dimrin dhe të këqijat për të rikthyer dritën e shpresës tek njerëzit.

Dritan Kurti