Mungesa e ujit vaditës, problem për banorët e Bllatës së Sipërme

Mungesa e ujit vaditës, problem për banorët e Bllatës së Sipërme
Rritja e ndjeshme e temperaturave gjatë muajit Qershor ka rritur nevojën e ujit vaditës për të gjithë banorët e fshatit Bllatë e Sipërme në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë Dibër. Ndërkohë, banorët thonë se uji vaditës në fshatin e tyre mungon prej 35 vitesh për shkak të dëmtimit të veprave vaditëse. Sadullah Veliu shprehet se thuajse e gjithë toka bujqësore e fshatit të tij është djerr pasi nuk e kanë punuar për shkak të mungesës së ujit vaditës. Veliu thotë se institucionet duhet të bëjnë më shumë për banorët e fshatrave pasi ata kanë nevojë për shërbimet jetike si uji i pijshëm, uji vaditës dhe rrugë, asgjë më shumë. Sipas Sadullah Veliut, pensionet në fshatra janë qesharake deri 9,700 lekë, që nuk mjaftojnë as për ilaçe. Banorët mundohen të ndihmojnë pensionin duke punuar në bujqësi për të siguruar më shumë të ardhura ekonomike për vete dhe familjen.