Muaji kundër kancerit të gjirit, aktivitet sensibilizues
Në kuadër të muajit Tetor, i njohur ndryshe si muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, në mjediset e jashtme të Spitalit Bashkiak Mat, këtë të martë u zhvillua një aktivitet me punonjës të shëndetësisë. Aktiviteti kishte për qëllim sensibilizimin e grave dhe vajzave për të bërë kontrolle periodike për të zbuluar në kohë sëmundjen, e cila është kthyer në shqetësim jo vetëm kombëtar por dhe botëror. Drejtori i Spitalit Bashkiak “Xhavit Mara” Mat, Erion Bala tha se është më shumë i rëndësishëm parandalimi se sa shërimi i kësaj sëmundje.
Mesazhe ndërgjegjësuese dhanë edhe mjeke e punonjëse të tjera të shërbimit spitalor në qytetin e Burrelit.
Tetori në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Përmes zhvillimit të një fushatë intensive në këtë muaj synohet shpërndarja e informacionit për edukimin e njerëzve për rëndësinë e kontrolleve të vazhdueshme të shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit te gratë dhe jo vetëm.