Një ngjarje në kufinjtë e mrekullisë ka ndodhur të premten në Bulqizë. Një 35-vjeçar është gjetur i gjallë tre ditë pasi kishte bërë aksident me makinën e tij. Mësohet se 35-vjeçari, Isa Nurçe, është gjetur pasditen e së premtes brenda një automjeti të rrëzuar në shtratin e lumit, në zonën e zallit të Bulqizës, pranë urës së Çeranecit, në aksin rrugor Bulqizë–Peshkopi.
Nurçe ishte denoncuar i humbur nga babai i tij në polici që prej të Martës.
Mjeti dhe personi në fjalë, janë zbuluar nga disa fëmijë që po laheshin aty pranë, të cilët kanë njoftuar menjëherë banorët e zonës. Këta të fundit kanë nisur t’i japin ndihmën e parë duke ju bashkuar ekipit mjekësor që ka mbërritur në vendngjarje. Me anë të një mjeti tip fadromë ata kanë bërë të mundur kthimin në pozicion normal të automjetit tip audi e më pas kanë nxjerrë 35-vjeçarin nga makina.
I aksidentuari Isa Nurçe, i cili mrekullisht ai kishte mbijetuar për më shumë se 72 orë brenda automjetit, është transportuar më pas në gjendje të rëndë shëndetësore drejt qendrës spitalore.
Ende nuk dihen rrethanat e aksidentit të rëndë, ndërsa automjeti dyshohet se ka fluturuar në ajër dhe është përmbysur buzë zallit të Bulqizës.