Rekamë

Që prej ditës së djeshme vendi ynë është përfshirë nga një mot i paqëndrueshëm me reshje shirash dhe erë të fortë. Reshjet e shiut nuk janë ndaluar që prej mbrëmjes së djeshme duke shkaktuar probleme kryesisht në furnizimin me energji elektrike të disa fshatrave në rrethin e Matit. Sipas OSHEE, dëmtimet nga era e fortë kanë prekur rrjetin përcjellës dhe kabinat elektrike thuajse në të gjithë territorin që mbulon drejtoria Rajonale e OSHEE Burrel.

Ekipet e specialistëve janë në terren për të riparuar çdo avari por moti i paqëndrueshëm me shi dhe erë të fortë ka vështirësuar punën e specialistëve.

Sa i përket rrugëve, situata ka qenë me probleme të vogëla, por pa krijuar bllokim të qarkullimit të automjeteve. Në aksin Burrel – Skuraj ka patur rënie të gurëve në segmentin e Shkopetit por pa penguar lëvizjen. Ndërkohë në afërsi të Burrelit tek ish baza e asfaltit ka patur thyerje të pemëve të thata të cilat kanë rënë në rrugë. Largimi i tyre është bërë nga kalimtarë të rastit ndërsa asfalti nuk është pastruar nga firma.

Sipas sinoptikanëve moti do të vijojë të jetë i tillë edhe përgjatë ditës së sotme, ndërsa pritet rënie temperaturash dhe reshje dëbore në zonat malore.