Rekamë

Nisur nga situata e motit të keq në të gjithë vendin drejtori i policisë Rrugore Altin Qato ka treguar masat e marra për parandalimin e aksidenteve rrugore. Qato u shpreh se është rritur prezenca e policisë në të gjithë akset rrugore ndërkohë që në ndihmë të Rrugores janë vendosur edhe Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të Policisë dhe forca e posaçme “Shqiponjat”

“Duke marrë parasysh situatën e krijuar për shkak të motit me reshje shiu, në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë Rrugore kanë rritur prezencën në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane e rurale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Në ndihmë të shërbimeve të Policisë Rrugore janë vendosur edhe Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të Policisë dhe forca e posaçme “Shqiponjat”, për të bërë të mundur vijimin e qarkullimit normal të mjeteve”, tha Qato.

Ai tha se disa drejtues mjetesh janë konstatuar në shkelje të dyfishtë ose të trefishtë të shpejtësisë nga makina inteligjente.

“Nga analiza e bërë ka rezultuar se pavarësisht masave të shtuara të Policisë Rrugore dhe asaj të Rendit, përgjatë javës dhe fundjavës, shumë drejtues mjetesh janë konstatuar në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Shumica e tyre janë konstatuar nga makina inteligjente në shkelje të dyfishtë ose të trefishtë. Krahas shpejtësisë janë konstatuar edhe pa rrip sigurimi, duke përdorur celularin apo me të tria këto shkelje njëherazi”, deklaroi ai.

“Shërbimet e Policisë Rrugore janë të fokusuara së pari në dhënien ndihmë drejtuesve të automjeteve që kanë nevojë gjatë qarkullimit, në këshillimin e drejtuesve të automjeteve për të zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor, por edhe në ndëshkimin e atyre drejtuesve të automjeteve që nuk i zbatojnë rregullat apo që janë përsëritës në shkelje, duke u kthyer në burim potencial rreziku për përfshirje në ngjarje rrugore.