Monitorimi me dron i rrugës së Arbrit, gjobiten mbi 100 shoferë

0

Shërbimet Policisë Rrugore të DVP Dibër kanë intensifikuar monitorimet me dron të akseve rrugore të qarkut Dibër me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, kryesisht të atyre që kryejnë parakalime të gabuara, rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Monitorimet me Dron janë bërë në akset nacionale të Qarkut Dibër si Bulqizë – Peshkopi, Klos – Burrel dhe në rrugën e Arbrit në Xibër.

Si rezultat i monitorimit me dron janë evidentuar 107 parakalime të gabuara dhe janë ndëshkuar drejtuesit e mjeteve me masë administrative nga 2000 deri në 3000 lekë të rinj.

Parakalimet janë bërë në zona ku është i ndaluar ky veprim për drejtuesit e automjeteve, pasi përbëjnë potencial për aksidente.

Aksi më i monitoruar mbetet ai i rrugës së Arbrit, i cili aktualisht ka edhe fluksin më të lartë të automjeteve që qarkullojnë në drejtim të Qarqeve Dibër dhe Tiranë.

Policia Rrugore apelon drejtuesit e mjeteve për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor pasi në të kundërt do të përballen me dispozitat ligjore në fuqi për shkeljen e kodit rrugor të vendit tonë.