Të gjitha automjetet që qarkullojnë në vendin tonë me timon anglez, do të bllokohen.
Lajmin e ka bërë të ditur Drejtori i Transportit Rrugor Blendi Gonxhe, i cili ka bërë të ditur se automjetet që janë targuar dhe kolauduar që pas vitit 2015 dhe vazhdojnë të qarkullojnë në rrugë me timon në krahun e djathtë, do të bllokohen nga policia rrugore.
“Çdo targim bërë nga çfarëdolloj bakshishi apo shoku, apo është targuar pas 21 Marsit 2015 je targuar pas kësaj date dhe je ende në rrugë me timon anglez, je në shkelje flagrante të kodit rrugor. Makina bllokohet, futet në alert, futet në listën e zezë, nuk do kalojë dot koaludimin. Të gjithë ata që vazhdojnë të abuzojnë në këtë mjet si në momentin e parë të targimit deri sot nëse i ofrojnë shërbim në mënyrë të paligjshme, janë subjekt i kallëzimit për ndjekje penale”.
Gjithashtu është bërë e ditur se masa sigurie si pushim nga puna por edhe ndjekje penale, do të ketë për ata persona që i kolaudojnë këto automjete.
“Tashmë vetëm në muajt e parë të kolaudimit ne kemi kapur shumë raste. Vetëm javën e shkuar ne kemi njoftuar për largim nga detyra 10 punonjës të DPSHTRR të cilët në vite të ndryshme kanë abuzuar me mjetet të cilat sot janë në rrugë me timon anglez në kundërshtim të hapur me ligjin. Këta njerëz do humbin vendin e punës, do përballen me organet e drejtësisë. Auditi po punon me evidentimin e këtyre mjeteve”
Por çfarë duhet të bëjë një qytetar i cili ka një automjet të tillë në qarkullim?
“Duhet të ndërrojnë krahun e timonit, duhet të përputhen me kriteret dhe normat, ligjit të kodit rrugor. Të bëjnë ndryshime konstruktive, të aplikojnë për ndryshime konstruktive”.
Kujtojmë se që nga muaji mars i vitit 2015, një ligj i miratuar nuk lejon inportimin e automjete ve timon anglez në vendin tonë. Kjo gjë sipas ekspertëve është bërë për të ulur aksidentet në rrugë, pasi dyshohet se këto makina bëhen shkak i aksidenteve.