Rekamë

  Prezenca e madhe e mjegullës ka krijuar vështirësi dhe është bërë burim aksidenti gjatë ditës së sotme në Byppasin e Murrizit, pjesë e rrugës së Arbrit. Të gjithë mjetet që kanë udhëtuar në drejtim të Tiranës apo drejt Qarkut Dibër, janë përballur me fushëpamje të kufizuar në të gjithë gjatësinë e bypassin e Murrizit. Kjo ka bërë që të krijohen radhë automjetesh për shkak të lëvizjes me shpejtësi tejet të reduktuar. Po ashtu, ka patur edhe disa aksidente me pasoja të vogëla materiale, mes tyre edhe një autoambulancë e qarkut Dibër. Gjatë gjithë ditës së Mërkurë qarkullimi është bërë me shumë vështirësi për shkak të prezencës së madhe të mjegullës, reshjeve pa ndërprerje të shiut, rënies së gurëve në rrugë dhe gropave. Drejtuesit e mjeteve shprehen se në kushte të tilla atmosferike, lëvizja në këtë aks duhet bërë me shumë kujdes.

  Firma mirëmbajtëse ka bërë pastrim herë pas here të gurëve, por reshjet e shiut kanë bërë që gurët të biejnë gjithë kohën.