Mjegull e ngricë në aksin Bulqizë – Maqellarë
Aksi rrugor kombëtar Bulqizë-Maqellarë është i mbuluar prej disa ditësh nga mjegull e dendur dhe ngricë, kushte që manifestohen kryesisht në orët e para të mëngjesit. Prania e akullit në sipërfaqen e rrugës ka shkaktuar situata të rrezikshme për drejtuesit e mjeteve, për shkak të mungesës së kriposjes në këtë periudhë kur temperaturat bien nën zero gradë.
Mjegulla e dendur ka kufizuar fushëpamjen, duke e bërë qarkullimin ende më të vështirë. Një ditë më parë, në zonën e quajtur “Melan”, dy automjete janë përplasur kokë më kokë, një aksident në të cilin janë lënduar dy persona, mes të cilëve edhe një grua shtatzënë. Shkak i ngjarjes dyshohet të jetë mjegulla e fortë dhe mungesa e sinjalistikës së përshtatshme për zonat me dukuri të ngjashme mjegullore.
Autoritetet kompetente nuk kanë reaguar ende publikisht ndaj kësaj situate. Shoferët këshillohen të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit në këtë aks, veçanërisht në kushtet e motit të keq dimëror.