Mjegull e dendur në rrugën nacionale Burrel–Skuraj, vështirësi për drejtuesit e mjeteve
Të gjithë ata që zgjedhin aksin nacional Burrel – Skuraj për të udhëtuar në orët e para të ditës përballen me mjegull të dendur, duke krijuar vështirësi të mëdha për drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë aks rrugor. Si pasojë e mjegullës, fusha e shikimit është shumë e kufizuar, ndërsa situata rëndohet edhe nga mungesa e sinjalistikës rrugore në disa pjesë të kësaj rruge. Ky fenomen është i shpeshtë sidomos gjatë stinës së dimrit dhe pranverës, pasi rruga kalon pranë liqeneve të Ulzës dhe të Shkopetit, çka favorizon krijimin e mjegullës së dendur. Përveç mjegullës, drejtuesit e mjeteve përballen edhe me probleme të tjera në këtë aks rrugor. Segmenti Burrel–Skuraj është i dëmtuar me gropa të shumta dhe, sipas drejtuesve të mjeteve, duket se është lënë në harresë nga institucionet përkatëse prej shumë vitesh. Në këtë rrugë lëviz një numër i madh automjetesh nga i gjithë qarku i Dibrës, por edhe mjete që vijnë nga Maqedonia e Veriut që i drejtohen veriperëndimit të vendit tonë. Drejtuesit e mjeteve shprehen se situata është bërë disa herë problem mediatik, por deri më tani, sipas tyre, janë dhënë vetëm premtime ndërsa masat kanë qenë të papërfillshme. Ata theksojnë se në shumë pjesë të rrugës mungojnë edhe mbrojtëset anësore të cilat duhet të mbrojnë makinat nga rënia në liqenin e Shkopetit.