
Megjithëse është më pak i frekuentuar për shkak të hapjes së rrugës së Arbrit, aksi nacional Burrel – Skuraj vijon me problematikat e tij.
Kalimi në orët e para të mëngjesit në këtë aks rrugor është i vështirë sidomos në segmentin nga fshati Bushkash deri tek ura e Ulzës. Kjo për shkak të mjegullës që krijohet si pasojë e liqenit.
Fushëpamja në orët e para të mëngjesit është shumë e kufizuar, e në mungesë të sinjalistikës fosforeshente bëhet akoma më e rrezikshme lëvizja në të.
Por jo vetëm kaq, për shkak të temperaturave shumë të ulta në rrugë krijohet edhe shtresë akulli, duke rrezikuar që mjetet të dalin jashtë rruge.
Jashtë kameras, drejtuesit e mjeteve shprehen se përpos gjendjes së amortizuar të rrugës, duhet të përballen edhe me mungesën e sinjalistikës fosfereshente e cila në periudhën kur ka prani të mjegullës bëhet shumë e domosdoshme.
Ata kërkojnë që të merren masa dhe të plotësohet sinjalistika vertikale dhe ajo horizontale, pasi po ju rrezikohet jeta.