Mirëmbajtja e rrugës Shoshaj – Rrëshen i kalon një tjetër kompanie

Mirëmbajtja e rrugës Shoshaj – Rrëshen i kalon një tjetër kompanie

Pas shumë kohësh mirëmbajtja e rrugës Shoshaj – Rrëshen i është hequr kompanisë “Shehu” sh.p.k, e cila e kishte fituar fillimisht tenderin. Shkak dyshohet të jetë bërë mungesa e shërbimit të nevojshëm që duhej të kryente kompania në fjalë për ta mirëmbajtur këtë rrugë në gjendje normale për të gjitha llojet e automjeteve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ia ka kaluar kompanisë “Udha” sh.p.k tashmë mirëmbajtjen e të gjithë segmentit prej 25,8 kilometrash, nga ura e Matit deri në rrugën e Kombit.

Mirëmbajtja ka nisur ku kompania po bën mbushjen e gropave me zhavor në segmentin e Zenishtit por edhe në segmente të tjera. Ndërkohë, paralelisht po bëhet edhe pastrimi i bimësisë në të dy anët e rrugës, të cilat kishin mbuluar gjithë sinjalistikën vertikale.

Po ashtu, pranë urës në “Sukbull” është depozituar material për ndërhyrje në pjesën që rrezikon të shembet. Megjithatë, deri tani puna e mirëfilltë nuk ka nisur. Banorët që jetojnë afër aksit rrugor Ura e Matit – Rrëshen ngrejnë një tjetër shqetësim gjatë këtyre ditëve që vjen si rezultat i pluhurit të madh që shkaktohet në segmentet e paasfaltuara. Ata kërkojnë që edhe për këtë pjesë të gjendet zgjidhje.

Ura e Matit – Rrëshen mbetet një nga akset më problematike për shkak se nuk është mirëmbajtur nga askush që nga përfundimi i ndërtimit të saj në vitin 2014 e deri në vitin 2024.